Borxhi i tregjeve në zhvillim – Në $19 trln, rritja e interesave në SHBA shton rreziqet
Agjencia e vlerësimit të kreditit Fitch Ratings, bëri të ditur se katërfishimi i niveleve të borxhit në dekadën e fundit, kanë shtuar cënueshmërinë e tregjeve në zhvillim ndaj tkurrjes monetare, ndërkohë që Rezerva Federale përgatitet të rrisë normat e interesit.
Letrat me vlerë të borxhit e vendeve në zhvillim, janë fryrë në 19 trilionë dollarë, nga 5 trilionë që ishin një dekadë më parë, raporton agjencia e vlerësimit të kreditit.
Pavarësisht zhvillimit të tregjeve të parasë në valutë vendase, huamarrësit gjenden përballë kostove më të larta të financimit nga jashtë, dollar ii fortë dhe ngadalësimi i fluksit të kapitalit.
Fitch vlerëson se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit të paktën 6 herë deri në fund të vitit që vjen.
“Nëse kushtet financiare tkurren më shpejtë se sa pritet, borxhi i tregjeve në zhvillim do të vihet në presion. Nëse tërheqja e investitorëve ndaj borxhit të këtyre vendeve përmbyset, emetuesit do të përballen me sfidat e rifinancimit edhe në tregjet e tyre lokalë, ndërkohë që dalja e kapitalit mund të rrezikojë rezervat në valutë të huaj dhe kursin e këmbimit”, deklaron Fitch.
Investimet drejt tregjeve në zhvillim mund të zbehen ndërkohë që SHBA dhe investitorët global përballen me aktive me interesa më të larta në SHBA.
Përveç tregjeve në zhvillim më të mëdhenj që janë nën rrezik si Ukraina, Turqia dhe Argjentina, Fitch sheh rreziqe gjithashtu edhe për vendet me vlerësim të lartë si Emiratet e Bashkuara dhe Katari, për shkak të varësisë në borxhin e jashtëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.