Borxhi i jashtëm nuk ka rritje gjatë këtij viti
Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare në fund të tremujorit të tretë të këtij viti arriti në 7.83 miliardë euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, borxhi i jashtëm pësoi rënie për të dytin tremujor radhazi.
Stoku total i borxhit ra lehtë me rreth 22 milionë euro gjatë tremujorit të tretë, ndërsa është në vlera pothuajse të njëjta me fillimin e këtij viti. Këtë vit, as qeveria dhe as sektori privat nuk po rrisin në mënyrë domethënëse detyrimet e jashtme.
Qeveria, pas eurobondit dhe financimeve të siguruara nga FMN dhe banka Botërore, në mandatin e kaluar, tashmë e ka reduktuar ndjeshëm huamarrjen e jashtme.
Borxhi i jashtëm qeveritar është fiksuar pranë vlerës së 3.4 miliardë eurove. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sistemin bankar. Në kushtet e një likuiditeti të lartë, bankat nuk kanë pasur nevojë për linja financimi nga jashtë.
Rrjedhimisht, detyrimet e tyre ndaj subjekteve jorezidente kanë ngelur në vlera pothuajse të njëjta që nga fillimi i vitit. Një ecuri të ngjashme ka regjistruar edhe huamarrja e shoqërive private, qoftë në formë borxhesh tek të tretë apo në formën e huamarrjes nga kompanitë mëmë jashtë vendit.
Të dy këto forma financimi kanë rënë gjatë këtij viti. Nga njëra anë ky mund të jetë tregues i një ngadalësimi të investimeve të reja nga këto kompani. Por, nga ana tjetër, fakt është që ekonomia shqiptare ende ka shumë burime financimi të pashfrytëzuara, kryesisht në formën e depozitave të sistemit bankar.
Raporti mes kredive dhe depozitave është në nivelin 55%, çka tregon se sistemi zotëron sasi të mëdha likuiditetesh të lira për të financuar ekonominë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.