Borxhi korporativ në Kinë, në 169% ndaj PBB. Banka Qendrore cakton detyrat
Niveli i borxhit të korporatave në Kinë është shumë i lartë dhe do të duhet kohë për ta ulur në një nivel të manaxhueshëm, thotë guvernatori i Bankës Qendrore, Zhou Xiachuan, duke theksuar sfidat për të stabilizuar ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Ai shtoi se do të ndërmerren veprime për të trajtuar borxhin e tepërt, përfshirë ristrukturimin e firmave me nivel të lartë të levës financiare së bashku me reduktimin e kapacitetit industrial. Bankat nuk do të mbështesin më këto firma që janë financiarisht të paqëndrueshme, shtoi guvernatori, duke theksuar përpjekjen për të nxjerrë nga tregu këto kompani të ashtuquajtura “Zombie”, term që mori famë gjatë kolapsit financiar të viteve 90’ në Japoni.
“Ky proces i përket periudhës afat-mesëm, në mënyrë që të ketë rezultat, pasi stoku ekzistues i borxhit është shumë i madh”, tha Guvernatori.
Sipas Bankës për Rregullime Ndërkombëtare në Bazel, borxhi i korporatave në Kinë ka arritur 169% të PBB. Më herët gjatë vitit, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se rritja e kreditit në Kinë është shumë e lartë në krahasim me standardet globale dhe se pa ndërhyrje, do të ketë një krizë bankare apo ngadalësim të rritjes ekonomike.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kinës tha gjithashtu se qëndrimi neutral mbi politikat monetare do të ndihmojë në reformat strukturore të orientuara nga oferta. Pekini ka caktuar një objektiv më modest të rritjes ekonomike në rreth 6.5% këtë vit, nga 6.7% që ishte në 2016-ën, në mënyrë që të ketë hapësirë për politikëbërësit që të fokusohen te rreziqet financiare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.