Borxhi nga aksionerët – Në rënie gjatë vitit 2017
Investitorët e huaj ulën ndjeshëm financimet përmes huave për kompanitë e tyre në Shqipëri gjatë vitit të kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, totali i huave nga aksionerët e huaj për kompanitë shqiptarë ra me 75 milionë euro gjatë vitit 2017.
Përveç injektimit direkt të kapitalit, linjat e financimit nga kompanitë mëmë janë një nga format më të zakonshme të financimit të investimeve të huaja.
Stoku i këtyre huave për ndërmarrjet me aksionerë të huaj ishte rreth 1.7 miliardë euro në fund të vitit të kaluar.
Ndonëse statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se investimet e huaja direkte u rritën sërish për vitin 2017, tendenca rënëse huave nga aksionerët mund të jetë një tregues se cikli i investimeve për shumë ndërmarrje të huaja mund të jetë drejt rënies.
Megjithatë, jo domosdoshmërisht pakësimi i financimeve nga aksionerët mund të konsiderohet si një zhvillim negativ.
Një interpretim tjetër mund të jetë se kompanitë e huaja po gjejnë më shumë akses në burimet e financimit brenda ekonomisë shqiptare, kryesisht te kredia bankare.
Ndonëse kredia për biznesin ngelet ende e shtrënguar, statistikat kanë treguar përmirësime edhe në këtë segment.
Tregu financiar likuid dhe çlirimi i kreditimit nga bankat shqiptare mund të jetë një nga arsyet e pakësimit të mbështetjes te huatë e aksionerëve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.