Borxhi publik, 69.92% e PBB – Zgjerohet me 21.6 miliardë lekë në vitin 2017
Qeveria ka arritur të ulë nivelin e borxhit publik gjate vitit të kaluar në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, po jo në vlerë reale.
Borxhi publik i vendit në fund të vitit 2017 arriti në 1 trilionë e 87 miliardë lekë, në rritje me rreth 21.6 miliardë lekë që nga fillimi vitit.
Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, në terma realë, borxhi publik rezulton në rreth 69.92 % të prodhimit të brendshëm bruto, nga rreth 72.36% që raportohej në fund të vitit të vitit 2016.
Po sipas këtyre të dhënave, stoku i borxhit të brendshëm llogaritet 577 miliardë lekë dhe zë 37.10 % të PBB, ndërsa stoku i borxhit të jashtëm llogaritet në 510 miliardë lekë që zë 32.81 % të PBB.
Stoku i borxhit shtetëror i garantuar llogaritet për vitin që shkoi në vlerën 48.8 miliardë lekë. Borxhi i brendshëm i marre sipas instrumenteve ndahet në 35.66 % në afatshkurtër dhe 64.34 % në afatgjatë .
Po sipas këtyre të dhënave, borxhi i marrë nga pushteti lokal llogaritet në 753 milion lekë dhe është marrë i gjithi në tregun e brendshëm.
Ndërsa referuar monedhës , 552 miliardë janë emetuar në monedhe vendase dhe 535 miliardë ne monedhe të huaj, ndërkohë që vlerën më të madhe të huamarrjes përsëri e zënë kreditoret vendas.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.