BQE apel për Greqinë, Coeure: Eurogrupi të marrë vendimin në 15 qershor
Grumbulli masiv i borxhit grek po krijon probleme të shumta, kështu që zyrtarët europianë duhet të arrijnë një marrëveshje në datën 15 Qershor për ta lehtësuar atë dhe ti japin shtysë të vetmes ekonomi të Eurozonës që është në kontraktim, deklaroi Benoit Coeure, anëtar i bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane dhe një ndër zërat më të fuqishëm brenda institucionit.
“Bisedimet po vijojnë, por në mendimin tim, është e rëndësishme që, marrëveshja të arrihet në takimin e Eurogrupit, më 15 Qershor”-nënvizoi ai.
“Të qënit mjaftueshëm të qartë për masat e lehtësimit të borxhit sot, do të sillte efekte mjaft pozitive në të ardhmen, sidomos në drejtim të rindërtimit të besimit, si në komunitetin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm, sa i përket aftësisë së ekonomisë greke për tu rifutur në rrugën e normalitetit dhe stabilitetit”,- shtoi Coeure.
Anëtari i bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane deklaroi gjithashtu se, vetëm në rast se këto masa do të ishin mjaftueshëm të qarta, institucioni do të vlerësonte mundësinë e përfshirjes së borxhit grek në skemën e blerjes së titujve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.