BQE ka vendosur – Në Tetor do njoftojë reduktimin e programit të stimujve
Politikbërësist e Bankës Qendrore Europiane duket se kanë rënë dakord në takimin e tyre të fundit, atë të kësaj të Enjte, që hapi i tyre i radhës do të jetë pikërisht reduktimi i programit të stimujve monetarë, thonë burime shumë pranë palëve.
Gjatë takimit të fundit, Banka Qendrore Europiane i la të pandryshuara politikat monetare, e sidomos programin e blerjes së titujve, ndërkohë që Mario Draghi sinjalizoi se Tetori do të jetë muaji i vendimit për të ardhmen e këtij programi.
Deri më tani janë në tavolinë katër skenarë se si do të reduktohet ky program. Me shumë gjasa do të vendoset reduktimi i masës së injektimit të parave në sistem, nga 60 miliardë Euro në muaj aktualisht, në 20 ose 40 miliardë euro duke filluar prej fillimit të vitit të ardhshëm për 6 ose 9 muaj të tjerë.
Banka Qendrore Europiane refuzoi të komentojë këtë raport të mediave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.