BQE, konferenca mbi komunikimin – Yellen, Draghi, Carney dhe Kuroda flasin për udhëzimin mbi politikat
Katër prej bankierëve qendrorë më të rëndësishëm në botë premtuan se do të udhëzojnë investitorët mbi lëvizjet e ardhshme të politikave, ndërkohë që tërhiqen nga stimujt e jashtëzakonshëm monetar.
Pas injektimit të më shumë se 10 trilionë dollarëve në tregjet financiarë që prej krizës së 2008-ës, Rezerva Federale, Banka Qendrore Europiane, Banka e Anglisë dhe Banke Japonisë, po përpiqen tashmë të largojnë investitorët nga paraja e lirë, pa shkaktuar shqetësime.
Për ta bërë këtë, komunikimi do të ketë rëndësinë më të madhe, thanë liderët e katër bankave më të mëdha qendrore në botë, në konferencën e parë të Bankës Qendrore Europiane mbi komunikimin.
“Udhëzimi për të ardhmen është kthyer në një instrument të plotë të politikave monetare dhe ka qenë i suksesshëm”, tha Mario Draghi.
Draghi dhe 3 homologët janë në faza të ndryshme të procesit. Rezerva Federale po pret rritjen e 5-të të normës bazë të interesit dhe Banka e Anglisë rriti për të parën herë në një dekadë normën e interesit këtë muaj.
Ndërkohë, BQE dhe Banka e Japonisë nuk kanë arritur ende në përfundimin e programit të blerjeve në treg të hapur. Janet Yellen, shefja e Rezervës Federale, ra dakord me Draghin se udhëzimi ka qenë kontribues, por theksoi se duhet të varet gjithnjë mbi mënyrën se si zhvillohet ekonomia.
“I gjithë komunikimi duhet të jetë i lidhur me perspektivën për ekonominë”, tha Janet Yellen.
“Ne po i drejtohemi njerëzve, të cilëve u shërbejmë”, tha Mark Carney. Guvernatori i Bankës së Japonisë, Haruhiko Kuroda shtoi se mënyra më e mirë për të shmangur keqkutpimet është dhënia e një mesazhi të thjeshtë.
Historia ka treguar se drejtimi i tregjeve nuk është i thjeshtë. Mesazhi i Ben Bernanke në vitin 2013 për përfundimin e blerjes së obligacioneve, solli tronditjen globale të tregjeve financiarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.