BQE “lëviz” – Ul nivelin tavan të financimit nga “ELA” për bankat greke
Banka Qendrore Europiane uli nivelin tavan të likuiditetit që bankat e Greqisë mund të tërheqë nga institucioni me bazë në Frankfurt, në 43.6 miliardë euro.
Ulja fiksohet me 600 milionë euro. Kjo lëvizje sipas bankës reflekton kushtet e likuiditetit, duke marrë në konsideratë rrjedhën e depozitave të sektorit privat.
Bankat greke janë mbështetur në mekanizmin e asistencës së likuiditetit, i njohur ndryshe si ELA që prej shkurtit të vitit 2015, pasi u dëbuan nga skema e financimit të Bankës Qendrore Europiane.
Financimi emergjent është më i kushtueshëm se ai direkt nga BQE. Në Qershorin e vitit të kaluar, Banka Qendrore Europiane rifuti bankat greke në operacionet e lira, duke lejuar huadhënësit që të reduktojnë varësinë e tyre ndaj fondeve të likuiditetit emergjent.
Huadhënia e ELA-s ndaj bankave greke ra me 1.4 miliardë euro, ose 3.3% gjatë muajit Maj, në krahasim me muajin paraardhës. Kjo ecuri ka sjellë edhe vendimin e bankës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.