BQE mbrohet ndaj akuzave gjermane – “Programi i stimujve nuk po financon qeveritë dhe cënon taksapaguesit”
Banka Qendrore Europiane ka mbrojtur programin e blerjes së obligacioneve prej 2.6 trilionë euro përpara gjykatës kryesore të Bashkimit Europian këtë javë, nga akuzat se po financon qeveritë dhe vënë nën rrezik paratë e taksapaguesve. Rasti i përpunuar nga një grup i politikanëve kundërshtues ndaj euros nga Gjermania, synon të ndalojë programin e bankës, që po i vjen fundi.
Rasti u referua në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në Luksemburg nga gjykata kushtetuese e Gjermanisë vitin e kaluar, me një serë pyetjesh nëse BQE ka thyer rregullat me blerjen e borxhit. Personat që ngritën çështjen pohojnë se programi bie ndesh me një ndalim në financimin monetarë dhe ka sjellë humbje te Bundesbank dhe taksapaguesit gjermanë nga bankat e tjera qendrore prej programit.
BQE bëri të ditur se ka respektuar traktatet duke blerë vetëm nga investitorët, e jo në mënyrë direkte nga Qeveritë dhe se rreziqet për bankat e tjera qendrore janë të limituara. Institucioni në Frankfurt bëri të ditur muajin e kaluar se pritet të përfundojë programin e blerjes së obligacioneve në fund të vitit, por do të vazhdojë të riinvestojë për një kohë të gjatë paranë që merr nga titujt që maturojnë.
Qeveria gjermane dhe banka qendrore e vendit, që shprehën skepticizëm ndaj programit që nisi në vitin 2015, mbështetën institucionin. Megjithatë Berlini dha mbështetjen me kusht që të vendoset një tavan për ekspozimin e Bundesbank ndaj humbjeve në vendet e tjera. Nën skemën aktuale, vetëm 20% e titujve të blera nga bankat qendrore të Eurozonës përmbajnë “ndarje të riskut”, që nënkupton se çdo humbje nga këto do të përhapet në të gjithë zonën e valutës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.