BQE në dilemë – Inflacioni nuk po jep prova të qarta, duhet pritur
Rreziqet për ekonominë e Eurozonës nuk janë balancuar ende dhe Banka Qendrore Europiane duhet të shohë prova të qarta të rritjes së pagave dhe inflacionit përpara se të ndryshojë kursin e politikave monetare, deklaroi anëtari i bordit të bankës, Philip Lane.
Ekonomia e rajonit të monedhës së përbashkët ka hyrë tashmë në ciklin më pozitiv në thuajse një dekadë dhe inflacioni është shumë pranë objektivit të bankës qendrore, pranë dhe më poshtë se 2%.
Kjo ka nxitur shumë zëra kundër programit të blerjes së titujve. Sidomos nga Berlini, shumëkush kërkon që Banka Qendrore Europiane ti japë fund programit të stimujve.
Por, mesa duket, institucioni me bazë në Frankfurt është i vendosur ti shkojë deri në fund, duke mos rrezikuar asgjë. Sipas anëtarit të bordit, debati real aktualisht brenda bordit të Bankës Qendrore Europiane, është ai nëse inflacioni po i drejtohet apo jo termave afat-mesëm, duke pasur parasysh këtu dyshimet që burojnë nga rritja anemike e pagave në bllok.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.