“BQE nuk duhet të reagojë ndaj inflacionit” – Lagarde: Tkurrja e politikave do të frenojë rritjen ekonomike
Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, tha se inflacioni në Eurozonë do të zbhehet dhe banka nuk duhet të tkurrë politikat monetare, pasi mund të frenojë rimëkëmbjen ekonomike. Inflacioni në Eurozonë shënoi 4.1% në Tetor, nxitur nga çmimet e larta të energjisë, dhe pritet të qëndrojë sipër objektivit të bankës prej 2% në vitin e ardhshëm, ndërkohë që furnitorët e kufizuar nga pandemia, nuk mund t’i bëjnë dot ballë kërkesës së madhe nga rihapja e ekonomive.
Megjithatë, Lagarde këmbënguli se BQE nuk duhet të “shtypë frenat” tashmë, por të vazhdojë të nxisë rimëkëmbjen e ekonomisë. “Kur presionet në inflacion të zbhehen, si ç’po ndodh sot, nuk bën sens që të tkurrim politikat”- tha ajo, duke shtuar se tkurrja nuk do të japë efekt deri sa goditja të kalojë. BQE pritet të vendosë për të ardhmen e programit të blerjes së titujve të borxhit në takimin e 16 Dhjetorit. Ndërkohë që banka qendrore ka sinjalizuar se programi i blerjeve emergjente të Pandemisë prej 1.85 trilionë euro do të përfundojë në Mars, Lagarde theksoi se blerjet e aktiveve do të vazhdojnë të jenë të rëndësishme pas asaj date.
Banka e Anglisë pritet gjerësisht të rrisë normën bazë të interesit më vonë gjatë vitit dhe Rezerva Federale po shkurton programin e blerjes së letrave me vlerë. Megjithatë, Lagarde argumentoi se nëse aplikohen politikat e tkurrjes tashmë,, do të shtrëngonin të ardhurat e familjeve, që po përballen gjithashtu me goditje nga rritja e kostove të energjisë. “Në këtë situatë, tkurrja e politikave do të përkeqësonte ndikimin tek ekonomia” – tha ajo.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.