BQE nuk ndërhyn – Mban të pandryshuara politikat monetare
Banka Qendrore Europiane ka mbajtur të pandryshuara politikat monetare, edhe gjatë takimit të Korrikut. Vendimi është në linjë me pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve.
Norma bazë e interesit vijon të mbetet pranë rekordit minimal historik, prej 0.05%, ndërkohë që programi i lehtësimit sasior në shkallë të gjerë nuk do të ndryshojë, të paktën deri në takimin e radhës.
Këto janë vendimet e bordit drejtues të bankës. Institucioni me bazë në Frankfurt e mban derën të hapur edhe për një zgjerim të programit të blerjes së titujve në rast se ekonomia e Eurozonës do të përkeqësohet, gjë e cila ka shumë pak gjasa që të ndodhë.
Qetësia e takimit të fundit vjen pas sinjaleve të një muaji më parë, që flisnin për shtrëngim të politikave monetare. Ky takim sinjalizon se, shtrëngimi do të vijë gradualisht, e me shumë gjasa do të kërkojë vite.
Ekonomia e rajonit të monedhës së përbashkët është në rritje për të 17-in tremujor me radhë dhe në vrullin më të madh në një dekadë.
Edhe kreu i bankës qendrore europiane, Mario Draghi, pohoi se rimëkëmbja në Eurozonë është forcuar, por se inflacioni mbetet ende larg objektivit të bankës.
Përpara fjalës së Draghit, euro zbriti në territor negativ, për tu ngjitur sërish në territor pozitiv kundrejt dollarit amerikan, menjëherë pas fjalës së numrit një të Bankës Qendrore Europiane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.