BQE nuk ndryshon politikat – Rishikon në rritje projeksionet ekonomike për 2017 dhe 2018
Banka Qendrore Europiane ka mbajtur të pandryshuar politikën e saj monetare, por ka rritur parashikimin për ekonominë e rajonit.
“Këshilli Drejtues i BQE vendosi ti mbajë të pandryshuara normat e interesit dhe programin e blerjes së bonove, për një periudhë më të gjatë kohore”, deklaroi presidenti i BQE, Mario Draghi, në konferencën për mediat në Frankfurt.
Në këtë mënyrë, norma bazë e interesit vijon të jetë pranë zeros, ndërsa interesi i depozitave bankare në -0.4%. Gjatë viteve të fundit, Banka Qendrore Europiane ka luftuar të rrisë inflacionin brenda objektivit prej 2%, por deri më tani ka dështuar.
Në projeksionet e fundit makroekonomike, BQE parashikon një inflacion prej 1.5% për vitin 2017 dhe 1.2% për vitin 2018. Përsa i përket rritjes ekonomike, BQE parashikon një zgjerim prej 2.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për këtë vit dhe 2.3% për vitin 2018.
Në vlerësimin e shtatorit, BQE parashikonte një rritje prej 2.2% për 2017 dhe 1.8% për 2018.
“Zgjerimi ekonomik në Eurozonë vijoi edhe gjatë tremujorit të tretë të 2017, kur GDP-ja reale u rrit me 0.6%”, deklaroi Draghi.
“Investimet e biznesit vijojnë të rriten, për shkak të kushteve shumë të favorshme të financimit, që kanë rritur përfitimet e korporatave dhe kanë forcuar kërkesën. Edhe eksportet e Eurozonës janë mbështetur nga zgjerimi i ekonomisë globale”, shtoi Draghi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.