BQE për Bitcoin, Nowotny: I mungon stabiliteti dhe është i cenuar ndaj spekulimeve
Anëtari i këshillit drejtues të Bankës Qendrore Europiane, Ewald Nowotny, paralajmëroi kundër pranimit të Bitcoin si një metodë zyrtare të pagesës, duke thënë se valutës dixhitale i mungon stabiliteti dhe se është shumë e cënuar ndaj spekulimeve.
Shumë vende në Botë po shohin për mënyra se si të rregullojnë dhe klasifikojnë Bitcoin, që ka patur një rritje të vlerës në muajin Qershor në një rekord prej 3,000 dollarë.
Në muajin Prill 2017, Qeveria japoneze legalizoi Bitcoin si metodë zyrtare të pagesës, në përpjekje për të përdorur teknologjinë financiare për të stimuluar ekonominë.
Nowotny, njëkohësisht Guvernatori i Bankës së Austrisë, tha se valutës i mungon stabiliteti dhe se është subjekt i spekulimeve.
Ashtu si valutat e tjera virtuale, Bitcoin nuk ka një autoritet rregullues të vetëm, siç është Banka Qendrore.
Transaksionet regjistrohen në mijëra kompjutera në botë që i ruajnë dhe vërtetojnë këto, teknologji e njohur si Blockchain.
Investitorët kanë nisur të tërhiqen nga teknologjia, kryesisht prej performancës së fuqishme dhe potencialit për të konkurruar me arin dhe me instrumente të tjerë si ruajtës i vlerës.
Ndërkohë që Banka Qendrore nuk do të ndalojë Bitcoin, njerëzit duhet të jenë të informuar mbi rreziqet, tha Ewald Nowotny. Bitcoin mund të tregtohet në bursë në të njëjtën mënyrë si ç’tregtohen aksionet dhe titujt e borxhit.
Tashmë po funksionon edhe si mënyrë pagese për disa shitës me pakicë dhe si një mundësi për të transferuar fonde pa patur nevojën e një pale të tretë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.