BQE për të dhënat jo-cilësore – Coeure: Ndikojnë te publiku duke kërcënuar stabilitetin financiar
Në një fjalim për rëndësinë e të dhënave në sistemin financiar, Benoit Coeure, anëtari i bordit të BQE, tha se të dhënat e falsifikuara përbëjnë një kërcënim për stabilitetin financiar në të njëjtën mënyrë që lajme false cenojnë politikën.
Ai tha se ka një përhapje gjithnjë e më të madhe të të dhënave me cilësi të dobët, që rrezikojnë fryrjen e panikut. Ndërkohë që perceptimet e shtrembëruara nga publiku mund të devijojnë edhe kursin e politikave monetare, BQE po monitoron në shkallë të gjerë lajmërimet që bën, për të matur nëse mesazhi është marrë si ç’duhet nga publiku.
“Ashtu si lajmet false në mediat sociale, ekziston rreziku që të dhënat e falsifikuara apo me cilësi të ulët, të mbizotërojnë ndaj atyre që kanë rëndësi, në perceptimin e publikut”, tha Coeure. Sipas tij, veprimet nga agjentët ekonomikë mund të bëhen më pak të lidhura ndaj aktivitetit aktual dhe të shkaktojnë panik te publiku, gjë që sjell ndikime negative për stabilitetin ekonomik dhe financiar.
Duke dalë nga recesioni më i keq në dekada, BQE është mbështetur shumë në politika monetare të jashtëzakonshme, mjete të cilat nuk njihen ende plotësisht, për të nxitur ekonominë, punësimin dhe nivelin e çmimeve. Bankat Qendrore kanë komunikuar më shumë me publikun që prej prezantimit të këtyre masave dhe kanë përdorur teknologji të sofistikuar kompjuterike për të studiuar nëse mesazhi arrin në destinacionin e synuar. “Në të ardhmen mund të krijojmë deklaratat mbi politikat monetare bazuar në mënyrën se si do të perceptohen dhe interpretohen nga teknologjia kompjuterike”, tha Coeure.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.