BQE “rikalibron” stimujt – Përgjysmon blerjet mujore të obligacioneve, zgjat afatin e programit
Banka Qendrore Europiane ndërmori hapin më të madh deri më tani në ndërprerjen e stimujve që kanë mbajtur “në këmbë” ekonominë e Eurozonës vitet e fundit, duke lajmëruar se do të ulë blerjet mujore të obligacioneve në rajon.
Megjithatë, për të mbrojtur ekonominë e vendit nga ndërprerje të mundshme, institucioni lajmëroi gjithashtu zgjatjen në kohë të programit. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane i quajti këto ndryshime një “rikalibrim” të programit lehtësues dhe shtoi se detyra e bankës në rritjen e nivelit të çmimeve nuk ka përfunduar ende.
Blerjet mujore u reduktuan në 30 miliardë euro, nga 60 miliardë euro që qëndronin më parë, duke marrë optimizëm nga rimëkëmbja e ekonomisë për të 5-in vit dhe duke lëvizur në sinkronizim me Rezervën Federale që ka nisur tkurrjen monetare dhe Bankën e Anglisë, që po përgatitet për ta bërë.
Megjithatë, politikëbërësit e institucionit kanë ende shqetësime, në lidhje me objektivin kryesor dhe të vetëm që është stabiliteti i çmimeve. Për këtë arsye, banka e bashkoi reduktimin me një zgjatje 9 mujore të afatit të programit, duke ofruar të blejë më pak tituj borxh për një periudhë më të gjatë.
Në konferencën pas vendimit, Draghi tha se perspektiva ekonomike e Eurozonës është përmirësuar, por inflacioni bazë nuk ka treguar ende tendencë për rritje.
“Lëvizja e nivelit të çmimeve varet ende nga mbështetja me stimuj monetar“, tha Draghi. Programi i blerjeve, projektuar thuajse 3 vite më parë për të luftuar kërcënimin nga deflacioni, ka ulur kostot e financimit, gjallëruar huamarrjen dhe nxitur ekonominë, pavarësisht dështimit të arritjes së inflacionit në objektivin prej rreth 2%.
“Nëse perspektiva bëhet jo e favorshme, këshilli drejtues do të jetë i gatshëm për të rritur programin e blerjes në terma të sasisë apo kohëzgjatjes”, deklaroi institucioni. Normat e interesit mbetën të pandryshuara, si ç’pritej gjerësisht dhe institucioni rikonfirmoi udhëzimin për t’i mbajtur të pandryshuara derisa programi i blerjes të mbarojë.
Valuta europiane reagoi negativisht, duke rënë me 0.5% në 1.1754 kundër dollarit amerikan, menjëherë pas lajmërimit të vendimit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.