BQE te borxhi i Greqisë – Zyrtarët thonë se nuk ka gjasa të ndodhë
Banka Qendrore Europiane nuk ka gjasa të përfshijë titujt grekë të borxhit në programin e blerjes së aktiveve në të ardhmen e afërt, thonë zyrtarët e institucionit, ndërkohë që kreditorët europianë nuk janë të përgatitur të ofrojnë kushte më të lehta të ripagesave të borxhit.
Ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen në Luksemburg më datë 15 Qershor për të diskutuar masat mbi lehtësimin e borxhit të Greqisë, gjë që Banka Qendrore Europiane e ka vënë kusht për të nisur blerjen e obligacioneve të vendit. Eurogrupi pritet të rishikojë programin e shpëtimit të Athinës, gjë që do të mundësojë disbursimin e 7.4 miliardë euro ndihma, që duhen për pagesat e muajit Korrik të vendit.
Megjithatë, vetëm fjalët nuk mjaftojnë që të bindin këshillin drejtues të Bankës Qendrore Europiane, për të blerë borxhin grek. Programi i blerjes së BQE pritet të vazhdojë deri në Dhjetor të 2017-ës dhe ekonomistët thonë se blerjet do të ndalojnë gradualisht përgjatë vitit të ardhshëm.
Kjo lë pak kohë për blerjen e borxhit grekë përpara se program të mbarojë. Zv/presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis ka thënë se duhet vazhduar me disbursimin e radhës, për shkak se paqartësia po fillon të japë efekte negative ndaj ekonomisë greke.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.