BQE zyrtarizon optimizmin – Rriten projeksionet për inflacionin dhe ekonominë
Norma e inflacionit në Eurozonë mund të përshpejtohet ndjeshëm në vitet në vijim ndërkohë që projeksionet afat-gjatë mbeten të pandryshuar, thuhet në anketën e fundit të publikuar nga Banka Qendrore Europiane. Inflacioni bazë mund të fiksohet pranë 1.5% këtë vit dhe 1.7% vitin e ardhshëm.
Të dyja këto projeksione janë 0.1 pikë përqindje nën projeksionet e muajit Tetor, bazuar në anketën e 56 ekspertëve, që është edhe një dokument mjaft i rëndësishëm orientues i politikave të Bankës Qendrore Europiane.
Banka vendosi gjatë kësaj jave që të mbajë të pandryshuar politikat monetare, ndërkohë që presioni inflacionist është zbutur, por shtoi se besimi mes politikbërësve të bankës është forcuar. Këta të fundit presin kështu që inflacioni të rimëkëmbet sërish pranë objektivit të bankës, pranë dhe më poshtë se 2%. Forcimi i euros ndërkohë mund të jetë pengesa më e madhe në arritjen e objektivave të Mario Draghit brenda mandatit të tij.
Vetë Draghi deklaroi të Enjten se, banka mund të rimendojë politikat e saj në rast se euro do të vazhdojë në këtë trend të padëshiruar rritës. Anketa konfirmoi gjithashtu optimizmin sa i përket rritjes ekonomike. Projeksionet e reja fiksohen në 2.3% rritje këtë vit, nga 1.9% që projektohej tre muaj më parë. Edhe për vitin e ardhshëm projeksionet janë rishikuar në territor pozitiv.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.