Brazili del nga recesioni – Sektori bujqësor dhe ushqimor nxjerr vendin nga “tuneli”
Brazili prej të paktën tre vitesh është zhytur në një recesion të thellë. Por autoritetet qendrore në vend kanë vendosur se duhet të dalin nga ky tunel i rrezikshëm.
Për të dhjetën herë resht, Banka Qendrore vendosi të ulë normën bazë të interesit, në 7%. Ky është niveli më i ulët në historinë e Brazilit.
Ndryshe nga vitit 2015 dhe 2016, viti aktual duket se do të ketë shenjën plus përpara, çka përkthehet në dalje zyrtare nga recesioni. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, rritja ekonomike fiksohet në 0.6%.
Sektori bujqësor ka pasur një impakt thelbësor në këtë performancë pasi regjistron një rritje me 14.5% gjatë kësaj periudhe kohore. Ekonomia e Brazilit është tërësisht e varur nga ecuria e lëndëve të para në sektorin ushqimor.
Të dhëna pozitive ndërkohë raporton edhe sektori industrial, jo i papërfillshëm për ekonominë më të madhe të Amerikës së Jugut. Rritja me mbi 5% e sektorit vjen kryesisht si pasojë e performancës mjaft pozitive të sektorit të automjeteve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.