Brazili ndalon AstraZeneca tek gratë shtatzëna / Pas vaksinimit vdes nga mpiksja e gjakut në tru nëna e ardhshme
Qeveria federale e Brazilit pezulloi në rang kombëtar vaksinimin e grave shtatzëna me vaksinën e AstraZeneca, pasi një nënë e ardhshme në Rio de Janeiro ndërroi jetë nga mpiksja e gjakut në tru, si pasojë e vaksinimit. Franciele Francinato, koordinatore e programit të vaksinimit tek Ministria e Shëndetësisë, i tha gazetarëve se pezullimi ka ndodhur si masë paraprake, pasi rregullatori shëndetësor paralajmëroi mbi përdorimin e vaksinës tek gratë shtatzëna. Hetimi i është aplikuar vetëm vaksinës së AstraZeneca dhe jo vaksinave të Sinovac dhe Pfizer, që janë gjithashtu në përdorim tek vendi. Alexandre Chieppe, Sekretari i Shëndetësisë, tha se gruaja në Rio de Janeiro vdiq pasi mori vaksinën e AstraZeneca. Rregullatori Shëndetësor tha se 35-vjeçarja, që ishte shtatzënë prej 23 javësh, vdiq nga hemoragjia në tru si pasojë e strokut, pasi u kontrollua në spital 5 ditë më parë. AstraZeneca deklaroi se gratë shtatzëna kanë qenë të përjashtuara nga provat klinike të vaksinës së covid-19. Rregullatori shëndetësor i Brazilit bëri të ditur se nuk ishte informuar mbi ndonjë efekt anësor tek gratë shtatzëna Vaksina e AstraZeneca prodhohet dhe shpërndahet në Brazil në partneritet me institutin e shëndetit publik, Fiocruz.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.