Brazili po importon kafe – Kjo është hera e parë në histori, tregu në krizë
Tregu i lëndëve të para në nivel global është prej kohësh në krizë. Këtë e konfirmon edhe një ngjarje e fundit; për të parën herë në histori, Brazili, që është prodhuesi më i madh e kafesë në botë, detyrohet të importojë.
Pas tre vitesh thatësirë, qeveria braziliane ka autorizuar importin e rreth 1 milionë thasëve prej 60 kilogramësh me kafe nga Vietnami. Tarifa e importit do të jetë prej vetëm 2%, nga 10% standard që në fakt dekurajon eksportuesit. Tavani mujor, që përcakton nivelin e importeve, sipas dekretit të qeverisë, fiksohet në 250 mijë thasë.
Ky vendim është marrë pas presionit nga industria lokale e përpunimit të kafesë, dhe jo ajo e kultivimit. Kjo e fundit është pa diskutim kundër idesë së importit pasi i frikësohen konkurrencës.
Frika e tyre nuk është e pabazë, pasi e njëjta gjë ndodhi në vitet `90 me prodhuesit e kakaos. Asokohe, Brazili ishte prodhuesi i tretë më i madh në botë i kakaos, dhe pas një sezoni të vështirë zbriti në vendin e 7-të.
Për t’u rikthyer te kafja, çmimet e kësaj të fundit kanë preku nivelin më të lartë në 5 vitet e fundit, pikërisht për shkak të vështirësive në prodhim, që kanë goditur veç Brazilit, edhe Vietnamin dhe Indonezinë.
Përgjatë këtij viti, Organizata Botërore e Kafesë, projekton një rënie të prodhimit global me 6%, në 58.2 milionë thasë, që është edhe niveli më i ulët në 4 vite. Pra tregu i kafes, është në një deficit oferte.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.