Bregdeti me kontrata pa afat! Projektligji: S’mund t’i ndryshohet destinacioni, as të vendoset si kolateral e as investimet mbi 5 mln euro nuk i ndryshojnë pronësinë
Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon plotësimin e kuadrit ligjor ekzistues mbi pronat e paluajtshme të shtetit, duke parashikuar dispozita për përkufizimin dhe identifikimin e bregut e detit, si pronë publike, mbrojtja e posaçme e bregut të detit, si një nga pasuritë me interes të lartë publik, e cila përfshin sipërfaqen e tokës përgjatë vijës bregdetare, që është pronë publike e patjetërsueshme.
Referuar relacionit të nismës, objektiv final i saj është garantimi i sigurisë në marrëdhëniet juridike të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të shtetit, i vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së këtyre marrëdhënieve, veçanërisht mbi pronën publike, si dhe konfirmimi i bregut detar si pronë e tillë.
Referuar projektligjit, ”prona të paluajtshme të shtetit, të cilat i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi institucioneve qendrore, sipas dispozitave të këtij ligji, për t’u vendosur në dispozicion të subjekteve të së drejtës private që synojnë realizimin e një interesi publik, pa qëllim fitimi, të themeluara dhe që funksionojnë sipas legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse, do të përdoren për aq kohë sa subjekti privat jofitimprures ekziston, destinacioni i përdorimit dhe zhvillimit të pronës nuk ndryshon dhe kur në pronë është kryer investim mbi 5 milionë euro, për qëllimet e aktivitetit të tij”.
Ky ndryshim jep mundësinë e përdorimit pa afat të vijës bregdetare por pa nddryshuar asnjëherë pronësinë.
“Rregullat dhe procedurat për lidhjen e kontratës së përdorimit pa afat, sipas kritereve të mësipërme, do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në çdo rast, në kontratën e përdorimit do të specifikohet se pronës nuk mund t’i ndryshohet destinacioni. Në asnjë rast kjo pronë, së bashku me ndërtimet, investimet dhe përmirësimet e saj, nuk mund të jetë objekt i asnjë barre hipotekore apo procedure ligjore nga kreditorët e subjektit juridik privat jofitimprurës, për të realizuar vjeljen e detyrimeve që këta kreditorë kanë ndaj personit juridik privat jofitimprurës” përcaktohet në projektligj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.