Brexit, dështon marrëveshja – Kufiri i Irlandës kthehet në çështjen kryesore, pengon paktin tregtar
Kryeministrja Theresa May dështoi të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Europian, për t’i hapur rrugën bisedave të mëtejshme për tregtinë, pasi përpjekja me Dublinin për të mbajtur rregullat e BE në Irlandën e Veriut tensionoi aleatët e saj në Belfast.
Liderja e Britanisë takoi Presidentin e Komisionit, Jean-Claude Juncker, me shpresën se oferta e minutës së fundit ndaj qeverisë irlandeze për një “bashkim rregullator” në të dyja palët e kufirit të ri tokësor mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, do të hapte bisedimet për tregtinë.
Megjithatë, ndërkohë që Juncker dhe May po bisedonin dhe paundi u rrit me perspektivën e një pakti tregtar, Partia e Bashkimit Demokratik në Irlandën e Veriut refuzoi të pranojë “divergjencën” nga rregullat në Britani.
Kryeministri i Irlandës Leo Varadkar anulloi një konferencë të planifikuar, ndërkohë që May dhe Juncker thanë se nuk ka ende progres të mjaftueshëm në kushtet e divorcit.
May ra dakord me Juncker se një marrëveshje mund të arrihet pak ditë përpara samitit të BE më datë 14 Dhjetor, por këto premtime nuk qetësuan politikëbërësit në Britani.
“Jam i zhgënjyer që Qeveria britanike nuk është në pozitë për të negociuar çështjet që ramë dakord më herët gjatë ditës”, tha kryeministri i Irlandës.
Kufiri me Irlandën është kthyer në një nga çështjet më të vështira prej 3 kushteve të caktuara nga BE, përfshirë faturën e Brexit dhe të drejtat e qytetarëve.
Kryeministrja Theresa May dhe zyrtarë të tjerë britanikë do të zhvillojnë bisedime me partinë e Irlandës së Veriut, për të “shpëtuar” negociatat për marrëveshjen tregtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.