“Brexit do dëmtojë fitimet e bankave” – Aksionet e RBS bien me 5% pavarësisht rezultatit pozitiv në T1
Royal Bank of Scotland raportoi një fitim neto prej 912 milionë dollarë për tremujorin e parë, në rënie me 11% nga e njëjta periudhë një vit më parë.
Kjo shifër është sipër projeksioneve prej 705 milionë dollarë që projektonin analistët. Megjithatë, aksionet e huadhënësit britanik ranë me 5%, ndërkohë që paralajmëroi për sfida që vijnë nga pasiguria në lidhje me Brexit. Rezultati vjen pas një lajmërimi se kreu ekzekutiv Ross McEwan do të lë detyrën në vitin 2020. Banka ka nisur një kërkesë botërore për pasardhësin e tij. Treguesi bazë i përfitueshmërisë, marzhi neto i interesave, ra me 6 pikë bazë në 1.89%.
Të ardhurat totale arritën në 3.9 miliardë dollarë, ndërsa kostot operuese në $2.5 miliardë. Në deklaratën e të ardhurave, RBS bëri të ditur se ndikimi i pasigurisë së Brexit në ekonomi dhe vonesa e planeve të bizneseve për huamarrje e investime, ka gjasa të ndikojnë te rritja e të ardhurave. Banka ka paralajmëruar prej kohësh për ndikimin e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian dhe për tregun sfidues të kredive hipotekore.
Në tremujorin e tretë të vitit 2018, RBS krijoi një fond prej 130 milionë dollarë për t’i bërë ballë pasigurive ekonomike. Rezultati i institucionit vjen në një sezon sfidues për bankat europiane, ndërkohë që homologu britanik Barclays raportoi një rënie të fitimeve me 10% këtë javë. Royal Bank of Scotland është e zotëruar ende në 62% nga taksapaguesit, pasi qeveria pagoi 59 miliardë dollarë për ta shpëtuar gjatë krizës së vitit 2008.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.