Brexit, drejt 30 Qershorit – Parlamenti i jep 412 vota pro shtyrjes. Kërkohet miratim nga BE
Parlamenti britanik votoi për një shtyrje të afatit të Brexit, duke krijuar mundësinë që Kryeministrja Theresa May të risjellë marrëveshjen e saj të divorcit.
Deputetët i dhanë 412 vota pro mocionit që t’i kërkojnë Bashkimit Europian një vonesë të shkurtër në mënyrë që parlamenti të arrijë një marrëveshje më 20 Mars. Vota nënkupton se afati i 29 Marsit të caktuar me ligj, ka gjasa të shtyhet, pavarësisht se nuk dihet sa gjatë. Shtyrja e shkurtër e projektuar te mocioni, mund të zgjasë deri më 30 Qershor, ndërsa një shtyrje më e gjatë nuk ka afat kohor. Kjo do të kërkojë miratim unanim nga 27 vendet anëtare, që do të zhvillojnë një samit të Enjten e ardhshme.
May shpreson që kërcënimi i një shtyrjeje të gjatë do të detyrojë mbështetësit e Brexit që të votojnë marrëveshjen e saj në një përpjekje të tretë. Votimi tjetër mbi marrëveshjen e Theresa May mund të ndodhë javën e ardhshme, ku parlamenti do të vendosë nëse do të mbështesë një dalje jo “të pastër” nga Bashkimi Europian, apo ta refuzojë dhe të shtyjë më tej afatin e Brexit. Ditën e Enjte, deputetët votuan me 334 kundër dhe 85 pro një referendumi të dytë mbi anëtarësinë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, shtyrja e afatit nuk është ende e garantuar pasi do të kërkojë pëlqimin e Bashkimit Europian dhe data ligjore e daljes së Britanisë është ende 29 Marsi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.