Brexit, me zonë të lirë tregtare – BE bie dakord për lidhje të forta ekonomike. Rritet paundi
Bashkimi Europian deklaroi se ka arritur në dakordësi me Mbretërinë e Bashkuar për të mbajtur lidhje të forta ekonomike pas Brexit dhe marrëveshja i jep kryeministres Theresa May disa lehtësime, që do ta ndihmojnë për të rënë dakord në parlamentin britanik.
Paundi u rrit ndjeshëm pas lajmërimeve. Projekt dokumenti, i shpërnarë te vendet anëtare të Bashkimit Europian, i parë nga Bloomberg, cakton një plan për një “zonë të lirë tregtare, që kombinon bashkëpunim të fortë rregullator dhe doganor”.
Plani thekson gjithashtu se të dyja palët janë dakord për të zëvendësuar çështjen më problematike të divorcit, që është masa parandaluese e Irlandës, me një zgjidhje më të mirë dhe afat-gjatë. Duke sjellë një tjetër fitore për Theresa May, Bashkimi Europian do të lejojë Britaninë që të bashkëpunojë me agjencitë rregullatore.
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, tha se marrëveshja është rënë dakord në parim në nivel politik dhe është subjekt i miratimit nga liderët. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk ishte shumë optimiste dhe tha se çështja e Irlandës do të krijojë përsëri probleme.
May do të rikthehet në Bruskel ditën e Shtunë për një takim me presidentin e Komisionit Jean-Claude Juncker, përpara samitit të rëndësishëm që do zhvillohet ditën e Diel. E Diela pritet të sjellë nënshkrimin e marrëveshjes. Ndër pika të tjera të marrëveshjes përfshihej ruajta e rregullave të ekuivalencës në sektorin financiar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.