Brexit, mision i pamundur – Sekretari i “divorcit” jep dorëheqjen, Paundi bie ndjeshëm
Kryeministria e Britanisë, Theresa May, mori një goditje të rëndë ditën e Enjte, ndërkohë që sekretari për Brexit dhe një ministër tjetër dhanë dorëheqjen, duke kundërshtuar hapur marrëveshjen e Brexit që ajo po përpiqet t’i shesë kabinetit të saj. Pak orë pasi May lajmëroi se ekipi i saj ka rënë dakord për kushtet e një marrëveshjeje, ministri për Brexit, Dominic Raab dhe ministrja e punës dhe pensioneve Esther McVey, dhanë dorëheqjen, duke thënë se nuk e mbështesin.
Në një letër drejtuar kryeministres, Raab tha se ai nuk është dakord me kushtet e marrëveshjes së Brexit, duke marrë parasysh premtimet që partia Konservatore i ka dhënë popullit vitin e kaluar. “Fillimisht, unë mendoj që regjimi rregullator i propozuar për Irlandën e Veriut përbën një kërcënim ndaj integritetit të Mbretërisë së Bashkuar. Së dyti, nuk mund të mbështesë marrëveshjen parandaluese për Irlandën, ku Bashkimi Europian mban veton mbi aftësinë tonë për të dalë nga Europa”, shkruante Dominic Raab në letrën drejtuar kryeministres. Raab është ministri i dytë për Brexit që jep dorëheqjen, duke kundërshtuar divorcin me BE.
Këto zhvillime vijnë 5 muaj përpara afatit të daljes së Britanisë, më 29 Mars 2019. Liderët e Bashkimit Europian janë gati që të takohen më datë 25 Nëntor, për të nënshkruar marrëveshjen e divorcit, por beteja në Londër me politikanët që kundërshtojnë hapur planet e May, pritet të vazhdojë deri në fund të muajit. Paundi britanik ra ndjeshëm pas lajmërimit të dorëheqjes së ministrave, duke humbur rreth 1.5%, në 1.28 kundër dollarit amerikan, krahasuar me 1.2994 që ishte përpara ndodhive.
Valuta pësoi luhatje të mëdha gjatë ditës, prej pasigurive në lidhje me projekt marrëveshjen për Brexit në parlamentin britanik. Politikanët kundërshtojnë shumë kushte të marrëveshjes, përfshirë çështjen e kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës dhe qëndrimin në unionin doganor të Bashkimit Europian.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.