“Brexit nënkupton ende Brexit” – May mbron planet e saj pro-biznesit përballë parlamentit të ndarë
Kryeministrja e Britanisë Theresa May, nuk u tërhoq nga pozicioni i saj për Brexit dhe largoi kritikat nga parlamenti duke thënë se strategjia e saj po negociohet me Bashkimin Europian. Ndërkohë që shmangu në mënyrë tejet të vështirë mposhtjen në parlament për planet e saj, May tha se ajo nuk do të tërheqë propozimin për një marrëdhënie të ardhshme me bllokun, që do të jetë ndryshimi më i madh i politikave të jashtme dhe tregtare në më shumë se gjysmë shekulli.
Megjithatë, duke i qëndruar planit të saj për një dalje “miqësore” ndaj biznesit, që do të mbajë Britaninë në zonën e lirë tregtare, May ka nisur një konflikt si me mbështetësit e Brexit, ashtu edhe me ata që nuk duan të dalin fare nga Bashkimi Europian. Që kur plani i saj u bë publik më herët gjatë muajit, mbështetësit e Brexit dhe politikanët pro-Bashkimit Europian në partinë e saj, kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin dhe me kryeministren.
Mbështetësit e Brexit ankohen se plani i saj do të bëjë që shumë pjesë të ekonomisë britanike të jenë përsëri subjekt i rregullave të Brukselit. Nga ana tjetër, politikanët pro Bashkimit Europian shqetësohen se marrëveshja do të shkaktojë procedura të komplikuara në dogana dhe do ta lerë Britaninë jashtë tregut të lirë të shërbimeve, që është sektori më i madh i ekonomisë. Kryeministrja insistoi se Britania ka mjaftueshëm kohë për të negociuar një marrëveshje me BE përpara se vendi të dalë në Marsin e vitit që vjen dhe mohoi komentet se Britania po anon drejt “hard Brexit”.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.