Brexit pa marrëveshje tregtare – Do t’i kushtonte kompanive europiane dhe britanike 58 mld paund
Kompanitë britanike dhe të Bashkimit Europian do të përballen me kosto shtesë prej 58 miliardë dollarë nëse nuk ka marrëveshje për Brexit dhe sektori financiar i Britanisë do të pësojë goditjen më të madhe. Sipas një raporti të firmës Oliver Wyman, firmat në Bashkimin Europian do të paguajnë 31 miliardë paund në vit prej barrierave tregtare nëse Britania del pa një marrëveshje.
Nga ana tjetër, eksportuesit britanikë do të duhet të paguajnë 27 miliardë paund në vit. Sipas raportit, rritja e kostove dhe pasigurisë kërcënojnë reduktimin e përfitueshmërisë dhe mbylljen e disa bizneseve. Britania pritet të dalë nga Bashkimi Europian në muajin Mars të vitit që vjen. Në mungesë të një marrëveshjeje, tregtia mes Britanisë dhe 27 vendet anëtare do të ndërmerret sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që bëjnë kontrast me aksesin që Britania ka patur si vend anëtar.
Nëse Britania qëndron në unionin doganor, kostot do të reduktoheshin me 50% nga të dyja palët, sipas raportit. Megjithatë, Theresa May e ka përjashtuar këtë mundësi, për shkak se parandalon vendin për të arritur marrëveshje tregtare me ekonomi të tjera në zhvillim si Kina dhe India. Sipas raportit, 70% e kostove shtesë në Britani nga mos arritja e një marrëveshjeje mbi tregtinë, do të ndahen në 5 industri: të shërbimeve, makinave, bujqësinë, mallrat e konsumit dhe të kimikateve.
Firmat e shërbimeve financiare në Britani do të pësojnë goditjen më të madhe, për shkak se ndryshe nga industria e makinave që mund të mbështetet te furnitorët vendas, ato do të duhet të krijojnë operacione të reja në BE në mënyrë që të vazhdojnë t’i shërbejnë klientëve europianë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.