Britani, Brexit me kosto -Makinat do të kushtojnë 3000 euro më shumë
Me daljen nga Bashkimi Europian, britanikëve do t`iu kushtojë një makinë rreth 3000 euro më shumë. Brexit përkthehet në anulim të marrëveshjeve të tregtisë së lirë për ishullin, çka do të thotë se shumë prej produkteve të importit do të shtrenjtohen ndjeshëm, dhe produktet e manifakturës janë ato kryesoret.
Për makinat ndërkohë, shtrenjtimi vlen edhe për produktet vendase, pasi 4 në dhjetë pjesë të ndërtimit të një autoveture, ose 41% e totalit të pjesëve, janë produkte importi.
Analiza është kryer nga një kompani britanike që ka përllogaritur kostot e industrisë së makinave me daljen e Britanisë nga tregu i përbashkët europian. Aktualisht, Britania përfiton nga heqja e tarifave të import-ekportit, jo vetëm mes vendeve të Bashkimit Europian, por edhe me vendet e tjera të botës, duke qenë se shumë vende kanë nënshkruar marrëveshjet e tregtisë me Brukselin dhe jo me Londrën veçanërisht.
Këto marrëveshje do të duhet të ribëhen, por do të duan kohë dhe nuk do të jenë asnjëherë aq avantazhuese sa ato aktuale. Shtrenjtimi për makinat përkthehet në rreth 10% për njësi, duke llogaritur tarifat standarde të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Industria vendase ndërkohë eksporton rreth 80% të makinave që prodhohen jashtë ishullit, ose rreth 200 mijë në vit. Me daljen nga Bashkimi Europian, kosto e eksportit do të rritet me rreth 1 miliardë Sterlina. Kjo kosto është më e lartë se ajo e ndërtimit të një impianti në europë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.