Britani, optimizmi i firmave kalon nivelin e referendumit
Optimizmi i sektorit të shërbimeve në Britani është rritur ndjeshëm duke kaluar nivelin që ishte përpara referendumit për të dalë nga Bashkimi Europian, pavarësisht perspektivës për rritje të kostove dhe çmimeve që do të reduktojnë fitimet.
Konfederata e industrisë Britanike deklaroi se humori i firmave në sektorin e shërbimit rezultoi në nivelin më të lartë që prej Nëntorit 2015.
Megjithatë, bizneset në këtë sektor pritet të rrisin çmimet me normën më të shpejtë në 10 vite për tremujorin e dytë, pasi kanë patur rritje gjigante të kostove me rënien e paundit.
Banka e Anglisë parashikon se rënia e sterlinës do të sjellë rritjen e inflacionit në rreth 2.7% deri në fund të këtij viti, nga 1.8% që ishte në Janar. Banka Qendrore pret që rritja ekonomike të mbetet e qëndrueshme në 2%, pavarësish presioneve në shpenzimet konsumatore.
Sipas Konfederatës së Industrisë Britanike, për momentin performancën më të mirë e kanë firmat që kanë kontakt me konsumatorin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.