Britani, qeveria drejt kolapsit – Pas David Davis edhe Boris Johnson jep dorëheqjen
Dorëheqja e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, pasditen e së hënës e ka çuar qeverinë e Theresa May pranë kolapsit. Johnson tha dorëheqjen pasi kryeministrja Theresa May, nënvizoi dëshirën e qeverisë për një version më të butë të Brexit.
Ai është ministri i dytë që jep dorëheqjen brenda 24 orëve, pasi të dielën në mbrëmje negociatori kryesor i Brexit, David Davis, tha dorëheqjen. Më vonë, gjatë fjalimit në parlament, May falenderoi punën e Davis dhe pasionin e Johnson, duke vënë në dukje dallimet mes tyre në lidhje me Brexit. Gjithashtu, May tha se parlamenti duhet të përgatitet për disa skenarë të ndryshëm, duke përfshirë këtu edhe mundësinë për të mos pasur një marrëveshje me BE për Brexit.
Ndërkohë, ish-lideri i UKIP Nigel Farage, që konsiderohet nga disa si arkitekti i Brexit, përgëzoi Johnson për dorëheqjen dhe tha se është koha për të larguar Theresa May, që sipas tij është e tmerrshme. Në Bruksel, presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, deklaroi se takimi i javës së kaluar për të përcaktuar pozicionin e Britanisë në lidhje me Brexit ka dështuar.
Ndërkohë, luhatje ka pasur edhe në tregun valutor. Menjëherë pas dorëheqjes së Johnson, paundi humbi pikë përballë dollarit dhe euros. Sipas analistëve, dorëheqja e David Davis dhe Boris Johnson ka ngritur pikëpyetje serioze rreth pozitës së Mbretërisë së Bashkuar në negociatat me Bashkimin Europian.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.