Britania, gati për më të keqen – Pranon se mund të mos ketë marrëveshje me Brukselin
Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian arritën shumë pak kompromise në raundin e parë të plotë të bisedimeve.
Shqetësimet që prodhoi ky raund i dështuar gjeneruan edhe rënien e paundit britanik.
Qeveria britanike duket se është përgatitur që të dalë nga negociatat edhe pa një marrëveshje, gjë e cila përkthehet në katastrofë financiare për sipërmarrjen që operon në vend, por edhe për qytetarët britanikë.
Ekspertët dhe akademikët kanë paralajmëruar për dëme të përhapura masivisht në rast se, mbretëria nuk do të dalë nga negociatat qoftë edhe me një marrëveshje tranzitore.
Londra dhe Brukseli janë në pozicione tërësisht të ndryshme.
“Ka diferenca themelore mes të dyve sa i përket mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve europianë që jetojnë në Britani dhe britanikëve që jetojnë në 27 vendet e unionit pas Brexit”, deklaroi kryenegociatori europian, Michel Barnier.
Ky i fundit kërkoi gjithashtu më shumë qartësi sa i përket pozicionit të Mbretërisë për faturën financiare që do të duhet të paguajë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.