Britania miraton ilaçin kundër Covid-19/ “Kokteji” i antitrupave i Regeneron – Roche trajton dhe parandalon sëmundjen
Rregullatori i Shëndetësisë në Britani ka miratuar koktejin me antitrupa të zhvilluar nga Regeneron dhe Roche, për të parandaluar dhe trajtuar Covid-19 dhe bëri të ditur se po përpiqet ta dërgojë tek pacientët sa më shpejtë.
Agjencia Rregullatore e Produkteve Mjekësore (MHRA) theksoi se ilaçi Ronapreve, mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit, shërojë simptoma të sëmundjes së ashpër të Covid dhe reduktojë shanset e shtrimit në spital.
“Ky trajtim do të jetë shtesë ndaj arsenalit për të trajtuar Covid-19” – tha ministri i Shëndetësisë, Sajid Javid. Ronapreve mund të merren përmes injektimit apo infuzionit në gjak. Ilaçi kapet fortë tek koronavirusi në sipërfaqen e sistemit të frymëmarrjes dhe e parandalon që të fitojë akses tek qelizat e aparatit të frymëmarrjes, sipas rregullatorit britanik.
Ronapreve i përket një klase të ilaçeve të quajtura antitrupa monoklonalë, që imitojnë antitrupat natyrorë të prodhuara nga trupi për të luftuar infeksionet. Ilaçi nuk synohet të përdoret si zëvëndësim për vaksinën, sipas autoriteteve. Muajin e kaluar, Japonia u bë vendi i parë që miraton Ronapreve për të trajtuar infeksione të lehta e të mesme të Covid.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.