Britania përditëson rregullat për udhëtimet në vend: Testet para nisjes anulohen duke filluar nga 7 Janari
Testet PCR për udhëtarët që mbërrijnë në MB nuk do të kërkohen më nga 7 janari, ka konfirmuar kryeministri Boris Johnson. Nga ora 4 e mëngjesit të së premtes, personat plotësisht të vaksinuar që kthehen në vend nuk do të duhet të bëjnë më teste para nisjes dhe nuk do të duhet të izolohen pas mbërritjes. Në vend të kësaj, ata do të duhet të bëjnë një test të rrjedhës anësore në fund të ditës së dytë pasi të mbërrijnë në MB.
Nëse ky test është pozitiv, udhëtarët do të duhet të bëjnë një test PCR për të konfirmuar dhe ndihmuar në identifikimin e çdo varianti të ri. Është i njëjti sistem që ishte në tetor të vitit të kaluar. Kërkesat e reja të paraqitura pas zbulimit të variantit Omicron nënkuptojnë që udhëtarët e vaksinuar plotësisht mbi moshën 12 vjeç duhet të paguajnë për një test PCR brenda 48 orëve nga mbërritja në MB.
Udhëtarët e pavaksinuar duhet të bëjnë teste PCR të rezervuara paraprakisht si në ditën e dytë ashtu edhe në ditën e tetë të mbërritjes, si dhe të izolohen për 10 ditë. Por kjo tani është vendosur të ndryshojë pasi Boris Johnson tha para Dhomës së Parlamentit se këto masa “po kishin ndikim të kufizuar” në përhapjen e Omicron.
Ai shtoi se testet para nisjes “dekurajojnë shumë nga udhëtimet nga frika se mos mbeten të bllokuar jashtë shtetit dhe shkaktohen shpenzime të konsiderueshme shtesë”.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.