Britania pritet të heqë izolimin e Covid – Telegraph: Johnson po harton plane për të hequr ligjet e kufizimeve
Mbretëria e Bashkuar po harton plane nën të cilat njerëzit nuk do të jenë të detyruar nga ana ligjore që të vetë-izolohen pasi të marrin Covid-19, sipas një raportimi të së përditshmes Telegraph. Kryeministri Boris Johnson kërkon të heqë në mënyrë të përhershme ligjet e emergjencës së koronavirusit, ndërkohë që rastet me Covid-19 në Britani po vazhdojnë në rënie, sipas raportit, që shton se udhëzimet do të qëndrojnë, por nuk do të rezultojnë në gjoba, apo penalitete ligjore nëse injorohen.
Këto plane do të përfundohen në javët e ardhshme, ndërkohë që pritet një lajmërim që në nisje të Pranëverës, sipas raportimeve në media. Javën e kaluar, sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se periudha e vetë-izolimit ndaj Covid-19 në Angli, do të shkurtohet në 5 ditë nga 7, nëse dikush testohet negativisht dy herë. Johnson po përgatitet gjithashtu të heqë planin B të kufizimeve të Covid-19, të prezantuar në muajin e kaluar për të ngadalësuar përhapjen e variantit Omicron, sipas një raporti të mëparshëm të Telegraph.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.