Britania, skemë rekrutimi – Ata që braktisin shkollën “negociatorë” për tregtinë
Ndërkohë që Britania po përgatitet të fillojë negociatat tregtare për herë të parë në disa dekada, qeveria ka njoftuar një skemë për të rekrutuar dhe trajnuar ata që braktisin shkollën, si ekspertë të ardhshëm të tregtisë. Departamenti i Tregtisë Ndërkombëtare, i cili u krijua pas referendumit të vitit 2016 për tu larguar nga Bashkimi Europian, deklaroi se skema 2-vjeçare do të përfshijë ngritjen e ekipeve të punës, të cilët do të merren me marrëveshjet e ardhshme tregtare dhe do të ndihmojnë kompanitë britanike të eksportit.
“Nëse doni ta ‘shisni’ Britaninë në mënyrën e duhur, ju duhet të dini se çfarë Britania ka për të shitur. Në anën tjetër duhet të kuptoni edhe tregjet ku shesim”, deklaroi ministri i tregtisë, Liam Fox për Reuters, gjatë lançimit të kësaj skeme. Zyrtarisht, Britania nuk mund të nënshkruajë marrëveshje tregtare me vendet e tjera, pa u larguar nga Bashkimi Europian, por ka punuar për të grumbulluar ekspertizë në mënyrë që të jetë gati kur të dalë nga unioni.
Ata që aplikojnë për skemën dhe që do të paguhen me rreth 30 mijë paund në vit nuk kanë nevojë të kenë ndonjë kualifikim të veçantë. Departamenti i Tregtisë pret që shumica e kandidatëve të jenë 18-vjeçar që kanë braktisur shkollën ose persona që dëshirojnë të ndryshojnë karrierën.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.