Britania ul projeksionet – Ekonomia nuk i shpëton dot pasigurive nga Brexit
Ministri britanik i Financave, Philip Hammond, tha se janë ulur projeksionet afat-shkurtër mbi rritjen ekonomike të Britanisë dhe se pasiguritë nga Brexit po kufizojnë shpenzimet publike. Hammond bëri të ditur se projeksionet për rritjen ekonomike të vendit në 2019 qëndrojnë në 1.2%, që është norma më e ulët që prej vitit 2009 dhe poshtë projeksioneve prej 1.6% të dhëna në muajin Tetor. Hammond tha se dështimi i Kryeministres Theresa May në votimin e ditës së Martë la një valë të pasigurisë mbi Britaninë.
Vendi pret një rritje ekonomike prej 1.4% në vitin 2020 dhe 1.6% në 3 vitet në vazhdim. Hammond paralajmëroi se dalja e Britanisë pa marrëveshje do të sjellë një goditje të madhe në kapacitetin prodhues të ekonomisë Britanike, ndërsa një marrëveshje për Brexit do të sillte nevojën e më shumë shpenzimeve publike. Dalja pa marrëveshje, që u refuzua në parlament ditën e Mërkurë, do të sillte ndërprerje të mëdha në terma afat-shkurtër dhe afat-mesëm, rritje të papunësisë, paga më të ulëta dhe çmime më të larta.
Hammond tha se kjo nuk është ajo për çfarë britanikët votuan në Qershor 2016. Ai tha se huamarrja dhe borxhi pritet të jenë më të ulëta krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Hammond shtoi se do të ketë më shumë investime në infrastrukturë, teknologji, strehim dhe aftësi, në mënyrë që Mbretëria e Bashkuar të kapitalizojë mundësitë pas daljes nga Bashkimi Europian.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.