Britaniket mezi “kalojnë” – Stress testi i bankave të Europës, `Barclays` dhe `Lloyds` në fund të klasës
Stress testi i sapopublikuar nga Bashkimi Europian sa i përket 48 bankave më të mëdha të kontinentit të vjetër tregon se asnjë prej tyre nuk ka ngelur në klasë, por se ka vend për shqetësim. Dhe ky shqetësim bie mbi bankat britanike; `Barclays` dhe `Lloyds`. Ky stress test rezulton të jetë më i vështiri që prej vitit 2009, kur nisi një praktikë e tillë. Testi në fjalë mat aftësinë e bankave për të menaxhuar situata krize hipotetike, pra gatishmërinë e tyre në situata të vështira.
Bankat britanike ndërkohë, por edhe ato europiane janë vendosur edhe përballe testit nëse janë të afta të përballojnë kriza politike e sidomos Brexit. Pavarësisht se i`a dolën të përmbushin indikatorët, `Barclays` dhe `Lloyds` rezultuan ndër tre performuesit më të dobët të kontinentit të vjetër. Në një situatë krize, me shitje masive të bonove dhe titujve, `Barclays` do të përfundonte me 6.37% normë kapitali dhe `Lloyds` me 6.8%, ndërkohë që limiti fiksohet në 5.5%.
Institucione të ndryshme ndërkombëtare i kanë bërë thirrje bankave britanike që të kenë më shumë kujdes, në një kohë që vendi bëhet gati të dalë edhe formalisht nga Bashkimi Europian. Banka Qendrore britanike u mbrojt nga stress testi i Brukselit duke thënë se, ky test tregoi se huadhënësit e saj janë në formë. Edhe huadhënësit italianë kanë dalë me rezultate të dobëta nga ky provim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.