Brnabic prezanton në parlament programin e ri qeverisës
Asambleja Kombëtare e Serbisë nisi të mërkurën sesionin për të zgjedhur qeverinë e re. Propozimi i kryeministres së ardhshme Ana Brnbabic për kabinetin e ri u dorëzua në Asamble ditën e martë dhe përmban 18 ministri e 21 ministra, ku 3 prej tyre janë pa portofol.
Brnabic iu adresua të pranishmëve me një mesazh që fokusohej në nevojën që ka vendi për t’u larguar nga një mentalitet burokratik. Në fjalimin e saj, Brnabic u shpreh se Serbia duhet të ndalë problemin e largimit të trurit, si edhe t’i bashkohet ritmit të revolucionit dixhital.
“Është nder t’i shërbesh Serbisë për ta ndryshuar për mirë. Është e rëndësishme që të biem dakord në prioritetet dhe të arrijmë një marrëveshje sociale mbi çfarë mund dhe duhet të arrijmë së bashku, në mënyrë që Serbia të bëhet një vend i suksesshëm”, tha Brnabic.
Por, Brnabic nuk i shpëtoi dot kritikave të shumta, të cilat nisën kur Presidenti Vucic lajmëroi se ajo ishte zgjedhja e tij në krye të qeverisë. Përgjigja e saj përballë tyre ishte të mos përgjigjej.
Sa i takon kabinetit të saj, ajo u shpreh se vizioni do të ndërtohet mbi themelet e kabinetit të kaluar.
Arka e shtetit është në gjendje të mirë, me të gjithë indikatorët makroekonomikë pozitivë, me suficit në buxhet, dhe me inflacionin brenda vlerave të synuara.
Ndërsa për çështjen e Kosovës, Brnabic u shpreh se qëllimi është të ruhet stabiliteti, të vazhdohet dialogu me përfaqësuesit e palës kosovare, si dhe të forcohen ekonomikisht serbët që jetojnë atje.
Afati për të votuar qeverinë e re është data 30 Qershor dhe duhen të paktën 126 deputetë nga Asambleja 250 vendëshe.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.