Brukseli, 1 mld euro për Ballkanin – Borisov: KE i ka gati paratë, do financohet infrastruktura
Komisioni Europian është i gatshëm që t`i huazojë vendeve të Ballkanit Perëndimor plot 1 miliardë euro për projektet infrastrukturore, deklaroi kryeministri bullgar, Boiko Borisov gjatë punimeve të Forumit ekonomik të Delphit në Greqi. Këto para, shtoi ai, do të shpërndahen nëpërmjet bankave europiane.
“Në rast se këto projekte do të realizohen, atëherë Ballkani do të behet një prej vendeve më konkurruese”, shtoi kreu i ekzekutivit bullgar. Ndër projektet në fokus janë korridori 8, që do të lidhë bullgarinë me Shqipërinë, si dhe autostrada adriatiko-joniane, që do të lidhë Shqipërinë me Slloveninë dhe për të cilën kryeministri shqiptar vetëm pak ditë më parë bëri apel për financim.
Sipas Ramës, pa financime shtesë, ky projekt do të kërkojë plot 56 vite për të mbaruar. Gjithsesi, edhe paratë e Komisionit Europian, pra 1 miliardë eurot, nuk janë aspak të mjaftueshme për vepra të këtij niveli. Nga Sofja, presidenti Juncker i bëri apel të gjitha palëve, përfshirë vendet anëtare të unionit, që brenda muajit Maj të gjejnë mënyrat e financimit të projekteve në rajon.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.