Brukseli, 1 mld euro për rajonin – Njofton instrumentin e ri të garancive, investime për 2 vitet e ardhshme
Komisioni Europian njoftoi hedhjen në treg të një instrumenti të ri garancish për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, me një vlerë totale prej 150 milionë eurosh dhe që do të zgjasë nga viti 2019 deri në vitin 2020.
“Ky instrument ka për synim që të ngrejë deri në 1 miliardë euro investimeve në fushën e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe atë të integrimit rajonal”, thuhet në deklaratën e vetë Komisionit Europian në lidhje me këtë çështje. “ Instrumenti do të lejojë shpërndarjen më të mirë të riskut në mënyrë që të zhbllokohen investimet private në një gamë të gjerë sektorësh si start-up, financimin e ndryshimeve klimatike apo ato në infrastrukturë”, thonë zyrtarët e Brukselit.
Ndër të tjera, ky instrument i ri ka për qëllim edhe që të përgatisë terrenin për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në krijimin e zonës së përbashkët ekonomike, të dakordësuar në samitin e Triestes vitin e kaluar.
Hedhja në treg e këtij instrumenti të ri financiar që mund të kanalizojë investime deri në 1 miliardë euro për vendet e rajonit është një prej arritjeve më të mëdha të samitit të Londrës, i 5-ti në kuadër të procesit të Berlinit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.