Brukseli kundër shtyrjes së Brexit deri në 30 qershor!
Brukseli kundërshton planin e Theresa May-t për të shtyrë Brexit deri në 30 qershor. Shqyrtimi i situatës nga zyrtarët e BE-së thotë se krerët kombëtarë do të përballen me një zgjedhje “binare” të një zgjatje të shkurtër të nenit 50 deri më 23 maj, ose një vonesë të gjatë për të paktën deri në fund të këtij viti.
“Çdo zgjatje e ofruar për Mbretërinë e Bashkuar duhet të jetë deri më 23 maj 2019 ose shumë më e gjatë dhe kërkon zgjedhje europiane. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur funksionimin e institucioneve të BE-së dhe aftësinë e tyre për të marrë vendime” thotë dokumenti i zbuluar.
Në të shkruhet se çdo skenar tjetër do të kishte pasoja të drejtpërdrejta juridike dhe praktike për zgjedhjen e deputetëve në Parlamentin Europian në 14 shtete anëtare.
Nëse këshilla e Komisionit ndiqet nga drejtuesit të enjten, kryeministria britanike, Theresa May, do të duhet të zgjedhë mes një zgjatjeje shumë të shkurtër ose shumë të gjatë. Kjo e fundit ka të ngjarë të jetë e pakëndshme për partinë dhe kabinetin e saj, ndërsa e para mund të jetë e pamjaftueshme.
Burimi: The Independent
J.V/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.