Brukseli “shuplakë” Italisë/Letra e KE për Romën zyrtare: Buxheti i ri, burim shqetësimesh serioze
Brenda 24 orëve nga prezantimi i buxhetit të ri në Itali, Brukseli ka regauar duke e cilësuar atë si një burim shqetësimesh serioze. Ky cilësim vjen në letrën të cilën Komisioni Europian i`a ka drejtuar qeverisë italiane.
“Ne i bëjmë thirrje autoriteteve italiane që të sigurojnë se buxheti do të jetë në përputhje me rregullat e përbashkëta fiskale si dhe të shikojë përpara”, thuhet në letrën e Komisionit Europian, që mban firmën e zëvendëspresidentit, Valdis Dombrovskis si dhe të komisionerit për çështjet ekonomike, Pierre Moskovici.
Letra mësohet se i është dërguar ministrisë italiane të ekonomisë dhe ndër të tjera, në të thuhet se, Komisioni Europian është i hapur për një dialog konstruktiv.
Buxheti i ri i Italisë i shoqëruar me paketën e re fiskale, që përmban edhe atë që njihet si të ardhurat e nënshtetësisë, por sidomos projeksionet për deficitin publik, kanë bërë që Italia dhe Brukseli të përplasen ashpër, aq sa tregjet i kanë dhënë një goditje mjaft të fortë Italisë.
Sipas Komisionit Europian, buxheti i ri me shumë gjasa nuk do të respektojë rregullat e përbashkëta. Komisioni do të reagojë publikisht vetëm pas datës 15 kur edhe të dorëzohet zyrtarisht buxheti i vitit të ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.