Brukseli thirrje Londrës – Juncker: Dera ende e hapur për ju, shpresoj ta dëgjoni
Liderët kryesorë të Bashkimit Europian e kanë lënë të hapur derën për Britaninë e Madhe në rast se, do të ndërrojë mendje sa i përket shkëputjes nga unioni. Për Brukselin, britanikët janë të mirëseardhur të qendrojnë në union.
Gjithsesi, si Theresa May, ashtu edhe kreu i opozitës britanike, Jeremy Corbin e kanë përjashtuar mundësinë e hedhjes në votë popullore të marrëveshjes për Brexit. Pavarësisht kësaj, kjo çështje është më aktuale se kurrë më parë.
“Brexit do të bëhet realitet, bashkë me të gjitha pasojat negative që ka, në Marsin e vitit të ardhshëm, dhe kjo mund të shmanget vetëm nëse miqtë tanë britanikë do të ndërrojnë mendje”, deklaroi Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk.
“Zemrat tona janë ende të hapura për ju”, deklaroi Tusk në Parlamentin Europian.
Ndërkohë, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker deklaroi se, dera është ende e hapur. “Shpresoj që kjo të dëgjohet në Londër”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, si në Bruksel ashtu edhe në Londër vazhdojnë punimet për të përcaktuar mënyrën e shkëputjes së Britanisë, e kryesisht marrëveshjen e famshme të tregtisë së lirë mes dy vendeve. Pjesë e kësaj marrëveshje është edhe ajo për emigrantët, pra qytetarët europianë që jetojnë në Britani, dhe ata britanikë që jetojnë në Europë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.