BSH dhe AAB thellojnë bashkëpunimin / Sejko: Bankat financuan bizneset dhe familjet gjatë pandemisë
Banka e Shqipërisë dhe Bordi Drejtues i Shoqatës Shqiptare të Bankave, zhvilluan një takim ku në fokus të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit mes bankës qendrore dhe bankave tregtare në vendin tonë dhe zhvillimet në sistemin financiar dhe bankar, gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vlerësoi sektorin bankar në veçanti për reagimin e duhur ndaj goditjes së pandemisë, që vijoi aktivitetin pa asnjë ndërprerje, duke financuar bizneset dhe familjet. Sejko theksoi se, gjatë pandemisë, bankat kanë shfaqur angazhim maksimal dhe vullnet të mirë për të kontribuuar në krijimin e lehtësive lidhur me masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare, si dhe luajtën një rol aktiv deri në kapërcimin e plotë të situatës. Bisedimet u përqendruan edhe te modernizimi i mëtejshëm i sistemit të pagesave, i cili luan një rol mjaft të rëndësishëm si në edukimin dhe përfshirjen financiare të popullsisë, ashtu dhe në rritjen e formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë. Të dyja palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional, si dhe, me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.