BSH frenon blerjen e arit – Ndalon në Nëntor, pas blerjes së 1 ton ar në 6 muajt paraardhës
Nga muaji Maj deri në muajin Tetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë rriti me 82% rezervat e saj në ar, pra nga 59 milionë euro, në 106 milionë euro, e që në sasi përkthehet pak a shumë në rreth 1 ton ar në total.
Tendenca është globale, pasi një pjesë e madhe e bankave qendrore nëpër botë, gjatë 2019-ës kanë rritur ndjeshëm rezervat në ar, rrjedhojë edhe e tensioneve të shumta gjeopolitike. Ari shihet si një strehë e sigurtë në kohë pasigurish.
Edhe Banka e Shqipërisë duket se përqafoi tendencën e re, paçka se një rritje e tillë e rezervave në ar rezulton të jetë e paprecedentë në historinë e institucionit, të paktën në 30 vitet e fundit. Por, pas Tetorit, Banka e Shqipërisë duket se ka frenuar me blerjen e arit.
Të dhënat më të fundit, e që i referohen muajin Nëntor, tregojnë se, rezervat në ar, të shprehura në vlerë monetare janë në rënie, në 104 milionë euro, nga 106 milionë që ishin më parë.
Kjo do të thotë se, Banka e Shqipërisë nuk ka blerë më parë. Rënia e rezervave të shprehura në vlerë monetare është rrjedhojë e rënies së metalit të verdhë me 1.61% nga muajit Tetor, në muajin Nëntor të vitit të kaluar.
Në nivel global ndërkohë, ari vazhdon marshimin edhe me fillim e 2020-ës, ndërkohë që ekspertët shprehen se gjasat janë që kjo tendencë të vijojë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.