BSH jep opinionin për projektbuxhetin 2022 – Sejko e vlerëson si balancues dhe realist, por ka edhe 3 rekomandime për qeverinë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë ka dhënë opinionin dhe komentet e institucionit qendror të politikave monetare në vendin tonë sa i përket projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Në terma të përgjithshëm, sipas Bankës së Shqipërisë, ky projektbuxhet përfaqëson një akt balancues duke pasur parasysh situatën makroekonomike dhe faktin që ekonomia vjen pas dy krizash të njëpasnjëshme. Sa i përket projeksioneve, ato cilësohen si realiste, paçka se janë në kahun e sipërm të parashikimeve të bankës, pra, sipas skenarit më optimist të institucionit.
Por, nga ana tjetër guvernatori ka vendosur theksin edhe te disa çështje të cilat duhet të marrin më shumë vëmendje nga qeveria, si borxhi publik, defiçiti, apo konsolidimi fiskal. Sa i përket pikërisht konsolidimit fiskal, guvernatori ka kërkuar që të shihet me më shumë prioritet rritja e të ardhurave, sesa shkurtimi i shpenzimeve.
Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Guvernatorit Sejko i ka bërë qeverisë shqiptare edhe tre rekomandime konkrete sa i përket buxhetit të vitit të ardhshëm, në lidhje me skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, skemat PPP si dhe shpenzimet buxhetore.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.