BSH kërkon euro – 7 ankande këtë vit, mund të blihen 56 milionë euro
Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë deri në 56 milionë euro gjatë këtij viti, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Në informacionin mbi ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë, Banka Qendrore ka publikuar edhe kalendarin e ankandeve për blerjen e valutës. Janë shtatë ankande, që kanë nisur në muajin prill, me një interval të planifikuar të blerjes nga tre deri në tetë milionë euro për secilin ankand.
Ankandet do të kenë intensitet të lartë veçanërisht në muajt e verës, ku edhe oferta për euro në tregun valutor përgjithësisht është më e lartë. Programi i blerjes së valutës ishte paralajmëruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të muajit mars. Euroizimi i lartë i sistemit financiar dhe në veçanti, rritja e ndjeshme e depozitave në euro gjatë dy viteve të fundit, ka bërë që Banka e Shqipërisë të vendosë rritjen e rezervës valutore.
Sistemi financiar karakterizohet nga një shkallë e lartë euroizimi, megjithë tentativat rregullatore për ta kufizuar përdorimin e monedhës europiane në dekadën e fundit. Rreth 60% e kredisë dhe 52% e depozitave të sistemit bankar janë në valutë të huaj, kryesisht në euro. Ndërkohë që po harton një strategji për uljen e euroizimit, Banka e Shqipërisë është përgatitur që të rrisë nivelin e sigurisë, për t’u paraprirë nevojave emergjente për valutë të sistemit financiar.
Aktualisht, rezerva valutore shërben si një instrument që synon të mbulojë nevojat e mundshme emergjente të ekonomisë për valutë dhe të zbusë goditje të forta në kursin e këmbimit. Por, Banka e Shqipërisë synon ta zmadhojë këtë rezervë, edhe në shërbim të objektivit të stabilitetit të sistemit financiar.
Banka Qendrore nuk zotëron instrumente të mbështetjes me likuiditet në monedhë të huaj, megjithatë, forma të veçanta ndihme mund të aplikohen në rrethana të jashtëzakonshme. Mes të tjerash, ankandet e blerjes së valutës së Bankës së Shqipërisë mund të ndikojnë raportet e këmbimit të monedhave në tregun e brendshëm valutor. Kërkesa e saj për euro mund të frenojë zhvlerësimin e monedhës europiane, që ka prekur nivelet më të ulëta në pothuajse një dekadë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.